Kosova Makers League me mbështetje të Fondacionit BONEVET vazhdon me “QYTETARI DIGJITAL 2.0”, projekt i mbështetur nga IRIM dhe GOOGLE
“Fondacioni BONEVET vazhdon me “QYTETARI DIGJITAL 2.0”, projekt i mbështetur nga IRIM dhe GOOGLE”
Projekti “Qytetari Digjital” është një projekt i cili u mundëson bibliotekave publike të bëhen qendra inovacioni dhe qendra për zhvillimin e kompetencave digjitale. Qëllimi i projektit është t’i ndihmojë qytetarët të përballen më mirë me tregun e punës dhe njëkohësisht t’i njoftojë dhe t’ua mundësojë atyre punën me disa nga pajisjet më të avancuara teknologjike.
Ky projekt organizohet nga IRIM (The Institute for Youth, Development and Innovation) me mbështetje inanciare nga Google. IRIM (Instituti për Zhvillimin e Rinisë dhe Inovacionit), është një organizatë jofitimprurëse me bazë në Kroaci, e cila zhvillon dhe implemeton programin më të madh të edukimit STEM në Evropë. Edhe pse IRIM ka origjinë dhe operon kryesisht në Kroaci, së bashku me partnerë lokalë ata kanë shtrirë projektet e tyre edhe në Kosovë, Bosnie dhe Herceogvinë dhe Serbi, kështu duke arritur të edukojnë mijëra fëmijë dhe të rritur. Shumë nga programet e IRIM përfshijnë aktivitete të përbashkëta rajonale. Bashkëpunimet e këtij lloji kanë një rëndësi të madhe pasi që rajoni në fjalë ende vuan nga konfliktet e viteve të 90-ta.
Edukimi STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Matematikë) dhe përdorimi i teknologjive të reja janë tashmë thelbësore për shoqëritë moderne dhe qytetarët anë e mbanë botës. Shkathtësitë teknologjike, mendimi kritik dhe bashkëpunimi për zgjidhjen e problemeve paraqesin disa nga aftësitë më të theksuara të shekullit XXI.
Bibliotekat paraqesin vendet më të mira për të mësuar aftësi dhe kompetenca të reja, prandaj projekti synon t’i mbështesë ato duke dhuruar pajisje teknologjike edukative si micro:bits, Bonson, 3D printerë, filamente etj. Në Kosovë, ky projekt realizohet në kuadër të Fondacionit BONEVET. Gjatë vitit 2019, “Qytetari Digjital” në Kosovë ka përfshirë 10 biblioteka. Të gjitha janë pajisur me pajisje si micro:bit dhe Bonson Kit. Ndërsa, 5 prej këtyre bibliotekave kanë fituar edhe nga një 3D printer. Fondacaioni BONEVET mbanë trajnime dhe punëtori falas që t’i informojë dhe edukojë bibliotekarët, në mënyrë që në të ardhmen ata të bëjnë të njejtën gjë për komunitetin e tyre. Poashtu, bibliotekat do t’u mundësojnë përdoruesve të huazojnë pajisjet që inkurajojnë mësimin dhe krijmtarinë, pa pagesë.
Gjatë këtij viti (2020/21), pritet të vazhdojë suksesi i projektit; “Qytetari Digjital 2.0”. Në vazhdim, Fondacioni BONEVET në bashkëpunim me IRIM synon të përfshijë biblioteka të reja dhe t’u ofrojë mbështetje të vazhdueshme në aktivitetet e tyre, duke organizuar punëtori edukative për bibliotekarët dhe duke motivuar publikun të punojë më pajisjet teknologjike.
Pra, ky projekt është vazhdim i vitit të kaluar statistikat e të cilit tregojnë se në kuadër të projektit në tërë rajonin janë mbajtur 1,512 punëtori falas dhe kanë përfituar 13,105 qytetarë. Drejtori i Google, për rajonin e Adriatikut, Josko Mrndze, thotë se Google beson se teknologjia luan rol të dobishën në jetën e përditshme të njerëzve. “Ne frymëzohemi nga mënyra se si njerëzit përdorin teknologjinë në përvetësimin e njohurive, në eksplorimin e pasioneve të tyre në botën përreth tyre”.
Fondacioni BONEVET është hapësirë krijuese, ku fëmijët dhe të rinjtë kanë mundësinë të mësojnë lëndë që nuk ofrohen prej kurrikulave zyrtare, të zbulojnë talentet e tyre dhe t’i zhvillojnë ato me pasion dhe dashuri. “Qytetari Digjital” është pikërisht ajo që BONEVET synon t’i dhurojë shoqërisë dhe komunitetit tonë. Projekt ku fëmijët, të rinjtë poashtu dhe të rriturit mund të mësojnë përmes pajisjeve digjitale dhe me anë të leximit të librave.
Këto janë disa nga arsyet se pse projekte të tilla po mbështeten në rajonin tonë.