FIllon Regjistrimi për Sezonin e Tretë të Garës Robotike KOSOVA MAKERS LEAGUE OPEN

Ka filluar regjistrimi në Garën e Robotikës “KOSOVA MAKERS LEAGUE OPEN”- KML OPEN, garë kjo e cila implementohet nga Fondacioni BONEVET dhe e cila zhvillohet përgjatë vitit akademik shkollor 2020 -21.

Këtë vit, KML do të pranojë vetëm 35 ekipe të reja!

KML OPEN është gara më e madhe e robotikës dhe e vetmja e llojit të saj në Kosovë. Nëpërmjet aspiratës “një robot për çdo fëmijë”, KML synon të përmbush misionin e saj që është “inspirimi i liderëve të ardhshëm në fushën e shkencës dhe teknologjisë”.

Ftohen të gjitha shkollat fillore publike dhe private, OJQ-të dhe qendrat  tjera edukative nga e gjithë Kosova, të cilat punojnë me fëmijët e grupmoshës 6-15 vjeç të bëhen pjesë e garës duke krijuar ekipet e tyre prej 4 nxënësve (sygjerojmë që në ekipe të ketë përfaqësim të barazisë gjinore – 2 vajza dhe 2 djem)  dhe 1 mentor/e dhe duke mbushur aplikacionin që mund të gjejnë në faqën tonë zyrtare www.kosovamakers.net  (www.kosovamakers.net/aplikacioni-kml/) deri më 09 tetor 2020.


Duke marrë pjesë në garë, KML pajisë secilin anëtarë (pjesëmarrës të ekipeve) me nga një robot edukativ mBot, që ofron hyrje shumë të thjeshtë në botën e robotikës, por mundëson edhe përdorim më të avancuar. Përgjatë pesë (5) raundeve që do të ketë kjo garë gjatë vitit 2020/21, fëmijët do të zhvillojnë sfida të ndryshme me robotin e tyre, duke e programuar me gjuhën programuese Scratch në aplikacionin “mBlock”.

Qëllimi i kësaj gare është krijimi i një atmosfere pozitive dhe të shëndetëshme për ekipet pjesëmarrëse, ku fokusi primar është edukimi i fëmijëve e pastaj konkurrenca, rritja e entuziazmit në mesin e nxënësve të shkollave fillore që të zhvillojnë njohuritë e tyre në fushat e STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri & Matemaikë; nxitja e frymës ekipore tek nxënësit; inkurajimi i të menduarit kritik dhe zgjidhja e problemeve në mënyre kreative.

Gjatë gjithë vitit akademik shkollor, gara do të zhvillohet në pesë (5) raunde, ku fëmijët do të zgjidhin “misione të ndërlikuara’ me ndihmën e robotëve të tyre. Pas çdo raundi, ekipet fituese do të përfitojnë çmime të ndryshme. Dy ekipet finaliste të garës që grumbullojë më së shumti pikë përgjatë gjithë garës KML OPEN do të përfaqësojnë Kosovën në Garat Regjionale të Robotikës – MakeX OPEN në Zagreb të Kroacisë dhe ekipi i cili grumbullon më shumë pikë në këto gara fiton biletën për të vazhduar në Garat Botërore të Robotikës “WER” në Guangzhou të Kinës.

Lexoni më shumë rreth garës, organizimit të saj dhe kritereve të aplikimit në https://www.kosovamakers.net/2020/09/03/cka-eshte-gara-e-robotikes-kosova-makers-league-open/

Bëhuni pjesë e revolucionit STEM në sistemin e arsimit në Kosovë! Bashkërisht mund të kontribuojmë për një të ardhme më të mirë të gjeneratave të reja të vendit.