EDICIONI I TRETË I GARËS SË ROBOTIKËS DO TË FILLOJ ME TEMËN UDHËTIMI I ROBOTËVE NË HAPËSIRË DHE KTHIMI I TYRE NË TOKË

KOSOVA MAKERS LEAGUE së shpejti do të fillojë me edicionin e tretë të “Garës së Robotikës” e cila paraqet garën më të madhe të këtij lloji në Kosovë, e dizajnuar për shkollat fillore dhe fëmijët e ciklit të klasave (1-5) dhe (6-9).

Nga aplikimet e pranuara nga shkollat fillore për pjesëmarrje në Garën e Robotikës, KOSOVA MAKERS LEAGUE pret që këtij edicioni të garës ti bashkohen rreth 150 ekipe nga shkolla fillore të më shumë se 25 komunave të Kosovës.

Tema e garës për këtë vit do të jetë “Udhëtimi i robotëve në hapësirë dhe kthimi i tyre në tokë”. Nga fëmijët e ekipeve pjesëmarrëse në garë kërkohet të ndërtojnë robotët e tyre, për t’i programuar më pas ata përmes gjuhës programuese “Scratch”.

Përgjatë raundeve të zhvilluara në tërë vitin, fëmijët do të kenë mundësi të vizitojnë statcione të ndryshme hapësinore, të përgatisin robotët për udhëtim në hapësirë, të shijojnë pamjet nga planetet e ndryshme dhe të përfundojnë misionin e tyre me kthimin e robotëve në tokë.

Qëllimi kryesor i KML është krijimi i një mjedisi pozitiv dhe të shëndetshëm në mënyrë që fëmijët të rrisin interesimin e tyre në fushat e STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë), të zhvillojnë shkathtësitë e buta, të menduarit kritik dhe të fitojnë aftësi për zgjedhjen e problemeve. 

Jemi më entuziast se kurr të fillojmë eksperiencën tonë me të gjithë pjesëmarrisit e garës këtë vit.

# Një robot për çdo fëmijë