“QYTETARI DIGJITAL” ËSHTË PROJEKT QË IMPLEMENTOHET PËR LIBRARITË NË KOSOVË, SERBI, KROACI, DHE BOSNJE DHE HERCEGOVINË.
Projekti është nisur nga IRIM – Croatian Makers (Instituti për Zhvillimin e Rinisë dhe Inovacionit) në Kroaci dhe është i mbështetur nga Google. Në Kosovë ky projekt implementohet nga Kosova Makers League me mbështetje të BONEVET.
Qytetari Digjital ka për synim të rrisë njohuritë dhe aftësitë digjitale të shoqërisë përmes digjitalizimit të bibliotekave publike, kështu duke i fuqizuar ato që të bëhen qendra digjitale të inovacionit. Kjo arrihet përmes dhurimit të pajisjeve teknologjike të cilat do t’i hyjnë në punë shfrytëzuesëve të bibliotekës për t’u edukuar dhe krijuar projekte inovative.
Ky projekt ka filluar implementimin në Kosovë në vitin 2019 dhe në këtë projekt janë përfshirë 10 biblioteka publike. KML përmes organizimit të punëtorive mundëson trajnimin e bibliotekistëve për përdorim të pajisjeve teknologjike nga më të ndryshmet. Pjesë thelbësore e këtij projekti është shpërndarja e pajisjeve teknologjike për bibliotekat në mënyrë që hapësirat e bibliotekave të shfrytëzohen edhe për inovacion dhe projekte të ndryshme teknologjike.
Gjatë vitit 2019, KML ka shpërndarë pajisje micro:bit dhe Boson kits për 10 bibliotekat në mënyrë që këto pajisje të shfrytëzohen për projekte inovative dhe teknologjike nga shfrytëzuesit e bibliotekës.
Për të mbështetur digjitalizimin e mëtejm të bibliotekave publike, KML në vitin 2020 ka mbajtur punëtori edukative për biblotekistët dhe ka shpërndarë 5 printerë 3D për 5 biblioteka të përfshira në këtë projekt.