Ndërlidhja e tematikës së Rozi the Bee Saver me garën më të madhe të robotikës, Kosova Makers League Open
Në shikimin e parë, fusha e robotikës dhe ajo e ambientit mund të duken si dy fusha krejtësisht të kundërta. Teksa e para lidhet me robotë, sensorë dhe kodim, e dyta na kthen te rrënjët tona, aty ku ndodhen lulet, ekosisteme plot jetë dhe gjallesa të ndryshme. Megjithatë, Super Finalja e Garës së Robotikës KML Open 2025-26 dëshmoi se kur teknologjia vendoset në shërbim të ambientit, rezultati nuk është vetëm inovacion, por shpresë për të ardhmen.
Përmes një bashkëpunimi të veçantë me Rozin ‘The Bee Saver’, gara më e madhe e robotikës në vend u fokusua në një nga sfidat më urgjente të kohës sonë, që është shpëtimi i bletëve dhe ruajtja e ekosistemit.
Pse pikërisht ky bashkëpunim? Kësaj radhe, gjatë Super Finales, qëllimi ishte për t’u dhënë nxënësve diçka më shumë se një sfidë robotike. Përmes fjalimit informues të Rozit, nxënësit mësuan më shumë rreth bletëve dhe rreziqet me të cilat ato përballën. Përveç kësaj, për Rozin ishte një mundësi e jashtëzakonshme të bëhej pjesë e një ngjarjeje të tillë madhështore me 200 nxënës, të cilët kaluan orë të tëra duke programuar dhe testuar robotët e tyre në harta të dizajnuara posaçërisht për të jetësuar misionin e saj.
Atmosfera e Super Finales së Edicionit të Tetë të Garës së Robotikës, KML Open 2025-26
Super Finalja e edicionit të tetë të Garës së Robotikës, KML Open 2025-26, u mbajtë më 12 korrik (e diel) në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), ku u mblodhën rreth 200 nxënës dhe 50 mentorë nga e gjithë Kosova. Kjo ngjarje ka shënuar përmbylljen e një edicioni të suksesshëm të mbushur me mësim, sfida dhe shumë përkushtim nga të gjitha ekipet pjesëmarrëse të garës.
Në këtë finale morën pjesë gjithsej 49 ekipe, nga të cilat 7 i përkisnin ciklit ‘1-5’ dhe 42 ekipe i përkisnin ciklit ‘6-9’. Gjatë gjithë ditës, energjia brenda hapësirës së fakultetit ishte e jashtëzakonshme, ku nxënësit vazhdimisht punuan me përkushtim maksimal. Nxënësit shpesh diskutonin për zgjidhje të ndryshme dhe testonin robotët e tyre në hartat e vendosura në hapësirë. Përmes programimit të funksioneve të robotit micro:Maqueen Plus dhe përdorimit të kamerës me inteligjencë artificiale HuskyLens, ekipet vazhdimisht punonin për të plotësuar të gjitha udhëzimet e caktuara për sfidën e finales.
Pas shumë orësh punë , testime dhe përmirësime të kodit, të gjitha ekipet ekzekutuan sfidën para ekipit vlerësues. Përmbyllja e ngjarjes u bë me ndarjen e shpërblimeve për tre ekipe fituese nga të dy ciklet e klasave.
Ekipet fituese të Garës së Robotikës KML Open 2025-26 për ciklin ‘1-5’ janë:
- Vendi i parë: Ekipi “Crea8Rs” (OJQ Young Innovators, Shtime)
- Vendi i dytë: Ekipi “Bookbots” (Biblioteka e Qytetit, Shtime)
- Vendi i tretë: Ekipi “Edu5star5” (SHFMU “Emin Duraku”, Shtime)
Ekipet fituese të Garës së Robotikës KML Open 2025-26 për ciklin ‘6-9’ janë:
- Vendi i parë: Ekipi “Smart World” (SHFMU “Fazli Greiçevci”, Shipol – Mitrovicë)
- Vendi i dytë: Ekipi nga Biblioteka e Qytetit (Shtime)
- Vendi i tretë: Ekipi “Koduesit” (SHFMU “Lasgush Poradeci”, Rashincë)
Për të parë të gjitha rezultatet e Edicionit të Tetë të Garës së Robotikës, KML Open 2025-26:
Ngjarja u përmbyll me shpërndarjen e certifikatave të mirënjohjes për të gjithë nxënësit pjesëmarrës, mentorët, si dhe vullnetarët që me përkushtimin e tyre mundësuan mbarëvajtjen e Super Finales.
Me përmbylljen e Super Finales, Kosova Makers League arriti të përmbyll njëkohësisht edhe Edicionin e Tetë të Garës së Robotikës.
Kosova Makers League falënderon të gjithë mentorë dhe nxënësit pjesëmarrës, partnerët, bashkëpunëtorët, si dhe mbështetësit që e bën të mundur realizimin e Edicionit të Tetë të Garës së Robotikës dhe Super Finales KML Open 2025-26.


