Të rinjtë në Teknologji

TË RINJTË NË TEKNOLOGJI

Programi ‘Të rinjtë në Teknologji’ është një iniciativë edukative e organizuar nga Kosova Makers League për shkollat e mesme, e cila synon fuqizimin e brezave të rinj përmes arsimit jo-formal në fushat STEAM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë), robotikë, inteligjencë artificiale, programim dhe teknologji elektronike.

Përmes trajnimeve intenzive, punëtorive praktike, sesioneve informuese dhe vizitave të rregullta në shkolla, KML ka krijuar një mjedis ku nxënësit dhe mentorët zhvillojnë shkathtësi të shekullit XXI, mendim kritik dhe frymë bashkëpunuese.

PROGRAMI 'TË RINJTË NË TEKNOLOGJI' NDËR VITE

Ecuria e këtij programi nisi me një pilot-projekt 4-mujor në bashkëpunim me IPKO, i cili përfshiu 25 të rinj dhe 5 mentore nga pesë shkolla të mesme të larta të Komunës së Prishtinës, si “Gjin Gazulli”, “Hoxhë Kadri Prishtina”, “7 Shtatori”, “Shtjefën Gjeçovi” dhe “Dr. Ali Sokoli”. Pas suksesit fillestar, ky format 4-mujor u shtri edhe në Komunën e Shtimes me mbështetjen e KEP Trust. Në këtë fazë të dytë morën pjesë 4 ekipe me gjithsej 20 të rinj dhe 3 mentore, të cilët u zhvilluan përmes tri moduleve për të mësuar bazat e robotikës, inteligjencës artificiale dhe elektronikës.

Dëshmia e suksesit dhe ndikimi direkt te të rinjtë ndihmojë në vazhdimësinë e programit. “Të rinjtë në Teknologji 2.0”, një program gjithëpërfshirës 9-mujor i mbështetur nga ProCredit Bank Kosova ka marrë karakter nacional duke përfshirë 10 shkolla nga komuna të ndryshme të Kosovës, ku marrin pjesë 50 të rinj dhe 10 mentore. Për të garantuar një përvojë sa më praktike dhe moderne, deri më tani është bërë edhe shpërndarja e pajisjeve të avancuara si robotët micro:Maqueen Plus, kamerat me inteligjence artificiale HuskyLens dhe pakot elektronike Arduino MKR1000.

Gjatë të gjitha fazave të programit, Kosova Makers League zhvillon vizita të vazhdueshme në shkolla dhe organizon trajnime e punëtori interaktive, duke mbetur e përkushtuar në hapjen e rrugëve të reja për të rinjtë drejt botës së teknologjisë dhe inovacionit.

Ecuria e garës

Përmes projektit “Të rinjtë në Teknologji”, nxënësit fitojnë njohuri praktike në robotikë, inteligjencë artificiale dhe elektronikë, duke analizuar probleme reale dhe duke zhvilluar zgjidhje kreative. Gara është e konceptuar në disa faza trajnuese, punëtorish dhe vizitash në shkolla, ku secili ekip punon me pajisje bashkëkohore dhe udhëhiqet nga mentorët për të kthyer idetë e tyre në projekte funksionale teknologjike.

Pajisjet e nevojshme

Çdo ekip pjesëmarrës në këtë program pajiset me robotë edukativë micro:Maqueen Plus, pllaka micro:bit, kamera me inteligjencë artificiale HuskyLens dhe pako Arduino MKR 1OOO IoT. 

Ekipet trajnohen për përdorimin e secilës pajisje dhe inkurajohen të shfytëzojnë pajisjet për krijimin e një prototipi.

Kushtet për pjesëmarrje

Në programin ‘Të rinjtë në Teknologji’ mund të marrin pjesë të gjitha shkollat e mesme publike, profesionale dhe private në Kosovë, si dhe qendrat që punojnë me të rinjtë, të grupmoshës 15 – 18 vjeçare. Për të aplikuar, institucionet e interesuara duhet të plotësojnë formularin e aplikimit online në faqen zyrtare të KML. Çdo shkollë apo qendër duhet të formojë një ekip garues, i cili përbëhet nga pesë nxënës të klasave 10 – 12 dhe një mentor. Mentor mund të jetë një mësimdhënës, prind apo profesionist i fushës, i cili do të udhëheqë dhe mbështesë ekipin gjatë projektit.

Dëshironi të ndihmoni?

Mbështetja juaj financiare na ndihmon të përfshijmë më shumë shkolla e të rinj në fushat e robotikës dhe inovacionit. Klikoni ‘Dhuro’ për më shumë informata.